Ende sot, shumica dërrmuese e shqiptarëve e përdorin kartën kryesisht për të tërhequr para nga bankomati. Ulja e kostove të tregtarëve për të pranuar pagesa me kartë mund të jetë një mënyrë për të nxitur rritjen e pagesave me kartë. Problemi i kostove mund të adresohet me platformë kombëtare për procesimin e pagesave me kartë, si dhe me skema të përdorimit të përbashkët të infrastrukturës së pikave elektronike të shitjes nga bankat.
Ersuin Shehu
Të paguash me kartë është një rutinë për konsumatorët në ekonomitë e zhvilluara. Me kartë mund të paguash biletën e trenit, kafenë në bar, shërbimin te berberi apo te parukieri. Në Shqipëri jemi ende shumë larg këtij realiteti, megjithëse kartat bankare janë një instrument që prej më shumë se 15 vjetësh përdoren gjerësisht nga publiku shqiptar.
Pas privatizimit të Bankës së Kursimeve, qeveria vendosi që pagat e administratës dhe punonjësve të enteve apo kompanive publike të kalonin në llogari bankare. Më vonë, ky detyrim u zgjerua për të gjithë të punësuarit në Republikën e Shqipërisë. Këto masa ndihmuan në shtimin e numrit të shqiptarëve që zotëronin një llogari bankare, por edhe në numrin e atyre që zotëronin një kartë bankare.
Karta bankare u bë një instrument që përdorej kryesisht për të tërhequr pagën nga bankomati. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të 9-mujorit të vitit 2021, numri i kartave bankare të pagesave arriti në 1.26 milionë. 90% e tyre janë karta debiti, të lidhura me llogaritë rrjedhëse të klientëve.
Megjithëse teknologjitë dhe instrumentet e pagesave tashmë kanë avancuar shumë edhe në Shqipëri, ende sot përdorimi i kartave mbetet i lidhur në masën dërrmuese me veprimet cash, ose tërheqjet e parave nga bankomatet.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 10-mujorin 2021, totali i transaksioneve me karta kishte vlerën e 246 miliardë lekëve. Por, nga këto, vetëm 11% ishin pagesa me kartë në terminale POS. Kjo statistikë dëshmon qartë se pagesat direkte (jo cash) zënë ende një pjesë shumë të ulët në përdorimin e përgjithshëm të kartave bankare nga shqiptarët.
Prapambetja e Shqipërisë në përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave konfirmohet edhe nga disa studime krahasuese. Një studim i përbashkët mes Bankës Botërore dhe Universitetit të Cambridge, publikuar në vitin 2020, tregoi se vetëm 28.8% e shqiptarëve kanë kryer ose kanë përfituar një pagesë me kartë në 12 muajt e fundit.
Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët krahasuar me gjithë vendet e tjera të rajonit. Për vendet e tjera, ky tregues fillon nga rreth 39% për Kosovën, deri në mbi 66% për Serbinë. Në Eurozonë, mesatarisht 92.5% e individëve kanë përdorur të paktën një herë pagesat dixhitale në 12 muajt e fundit para anketimit.
Studimi tregon gjithashtu se 7.7% e shqiptarëve kanë përdorur një kartë bankare për pagesë, ndërsa në vendet e tjera kjo përqindje varion nga 16.5% për Kosovën, deri në 39.4% për Serbinë. Studimet krahasuese të Visa dhe Mastercard kanë treguar se Shqipëria është një ndër tregjet me përdorimin më të ulët të pagesave jo cash me karta.
Për ekspertët, zhvillimi i ulët i pagesave automatike me kartë lidhet me disa arsye, ndër të cilat më të rëndësishmet janë informaliteti, edukimi i pamjaftueshëm financiar dhe kultura e trashëguar e një përdorimi tejet të lartë të parasë cash në transaksionet ekonomike.
Një element që duhet marrë në konsideratë janë edhe kostot. Që një biznes të pranojë pagesa me kartë, ai duhet t’i paguajë disa tarifa bankës, që i mundëson ofrimin e këtij shërbimi. Tarifat mund të jenë fikse për përdorimin/mirëmbajtjen e pajisjes POS, por përfshijnë edhe një përqindje të caktuar mbi shumën e çdo pagese të pranuar me kartë bankare. Këto kosto nuk e bëjnë shumë të preferueshme pranimin e pagesave me kartë, sidomos nga bizneset e vogla. Madje, shumë njësi shitje aplikojnë një shumë minimale sipër së cilës pranojnë pagesa me kartë bankare.